Prof. Dr. Violeta Nushi

Prof. Dr. Violeta Nushi

Dekane

Nr.kontaktues:

+381 38 224 751

Të dashur Studentë, mirëserdhët në Fakultetin e Arkitekturës

Vendimi Juaj për të vazhduar arsimin e lartë është një nga më të rëndësishmit në jetën tuaj. Hyrja në komunitetin akademik hap derën tuaj për tu bërë elitë e shoqërisë në të ardhmen. Ne besojmë se Fakulteti i Arkitekturës do ju mundëson të përvetësoni njohuri të reja në fushën e arkitekturës, dhe jo vetëm. Duam që ju të besoni se studimi nuk ka të bëjë vetëm me ligjërata, mësimnxënie, ushtrime, provime e nota. Ne dëshirojmë që koha juaj e studimit të mbetet në kujtesën tuaj si pjesa më e bukur e jetës, kur përveç diplomës dhe profesionit tuaj, keni fituar edhe miq, kolegë të ardhshëm dhe ndoshta shokë të jetës.

Studimet për Arkitekturë në UP, filluan si një nga katër (4) departamentet e Fakultetit Teknik, i themeluar në vitin 1961. Nga viti 2019, Fakulteti i Arkitekturës është një nga katërmbëdhjetë (14) njësitë e pavarura të Universitetit të Prishtinës. Deri më tani, në vijimësi dha kontribut në komunitetin akademik, ju dha studentëve dhe alumnive kohë dhe hapësirë ​​për të reflektuar mbi trashëgiminë e pasur të studimeve për arkitekturën. Me krenari feston gjysmë shekullin e krijimit të kuadrove, arritjeve dhe ndikimit domethënës të diplomantëve në mjedisin e projektuar e të ndërtuar në vend, rajon e më gjerë!

Në gjysmë-shekullin e tij të dytë, fakulteti dhe shoqëria hyn në një epokë urbane. Si rrjedhojë, jemi të pozicionuar në mënyrë unike, të transmetojmë e ndihmojmë studentët, për të kuptuar sfidat e mjedisit natyror, të projektuar e të ndërtuar, përmes ekspertizës në arkitekturë, mendimit kreativ në projektim e manipulim të hapësirës, kërkimit në shkencë për arkitekturë e planifikim urbanistik, përdorimit të TI në arkitekturë e urbanizëm dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë arkitektonike. 

Të dashur studentë, duke qenë të regjistruar në një ndër fakultetet që gjithmonë pranon nxënësit më të mirë, ju bëheni njëkohësisht anëtarë dhe garues në familjen më të madhe universitare në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës! Ndaj, kurioziteti juaj i qëndrueshëm dhe angazhimi i devotshëm në studimet e arkitekturës, do të jetë udhërrëfyes i pashmangshëm për ta fokusuar të ardhmen tuaj urbane me zgjidhje novatore për komunitetin.

Ndonëse do të dëshiroja, është letër e kohë e shkurtër të ofroj informata të mjaftueshme lidhur me aktivitetet dhe jetën akademike, shërbimet studentore, oraret mësimore e të provimeve, organet kolegjiale, personelin akademik e administrativ, aktivitetet dhe jetën sociale të studentëve, të këshillit studentor, apo të të dhënave për infrastrukturën e për fakultetin. Të gjithat do i gjeni në faqen tonë të fakultetit, të përditësuara në vazhdimësi. Me kënaqësi veçoj se pjesëmarrja e grave  në komunitetin e studentëve, të stafit akademik e të stafit administrativ është proporcionalisht më e madhe. 

Dhe së fundi, të dashur studentë, ju përshëndes përzemërsisht në emër të Fakultetit të Arkitekturës dhe në emrin tim, duke ju uruar një fillim të mbarë dhe një vit të ri të suksesshëm akademik!

 

Dekane,

Prof.Dr. Violeta Nushi