Me krenari njoftojmë se Universiteti i Prishtinës është renditur në vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme universitare të edicionit të 9-të të Inspireli Awards 2024 – një prej konkurseve më prestigjioze ndërkombëtare studentore në fushën e arkitekturës dhe dizajnit.
Ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të studentëve tanë në konkurset ndërkombëtare të integruara në kurrikulat akademike të Fakultetit të Arkitekturës. Më konkretisht, ky vlerësim i lartë vjen pas renditjes së Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në Top 10, falë vendit të parë të arritur nga projekti "Sustainable Village –ECOUNITY", i realizuar nga studentët: Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e Prof. Asst. Rozafa Basha, në kuadër të lëndës Projektim –Banim.
Ky sukses u shënua në një moment të veçantë me dorëzimin zyrtar të certifikatës së renditjes për Universitetin e Prishtinës nga fituesi i mëparshëm i Inspireli Awards dhe tashmë anëtar i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me konkurrentin tonë të sivjetshëm, studentin e nivelit master Florian Shala. Ceremonia u zhvillua në prani të Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Violeta Nushi.
Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve tanë, punës së palodhur të stafit akademik dhe mbështetjes së komunitetit universitar. Urime të gjithëve për këtë arritje të jashtëzakonshme! ��
Për më shumë rreth projektit fitues: https://www.inspireli.com/en/awards/detail/7557
Universiteti i Prishtinës renditet në Top 10 në Inspireli Awards 2024 mes 1362 universiteteve nga e gjithë bota!
