STUDIO E PËRBASHKËT NË DIZAJN URBAN

26 Dhjetor 2024
SHARE


Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Karlsruhe Institute of Technology, Odessa State Academy of Civil Engineering and Architecture dhe UBT, është duke realizuar STUDION E PËRBASHKËT TË DIZAJNIT URBAN (JOINT STUDENT STUDIO IN URBAN DESIGN) në kuadër të projektit “Transform for Resilience: Civic Infrastructure in Matiçan / Prishtina.” Ky bashkëpunim ofron një platformë të rëndësishme që nxit shkëmbimin e ideve, përvojave dhe perspektivave mes studentëve dhe stafit akademik nga vende të ndryshme të botës.

Studioja e përbashkët ka krijuar mundësi për projekte ndërdisiplinore që adresojnë sfida komplekse, duke përgatitur studentët për tregun profesional. Përveç kësaj, ajo kontribuon në rritjen e ekselencës akademike, ndërkombëtarizimin e përvojave dhe zhvillimin e një perspektive globale për zgjidhjen e problemeve lokale dhe ndërkombëtare.

Projekti ka për qëllim zhvillimin dhe zbatimin e modeleve reziliente të planifikimit urban për lagjen Matiçan në Prishtinë. Fokus kryesor është adresimi i mungesës së hapësirave publike dhe të gjelbra, përmirësimi i lidhjeve hapësinore brenda lagjes dhe me pjesët e tjera të qytetit, promovimi i mobilitetit të qëndrueshëm dhe përdorimi i transportit publik, si dhe roli i kësaj lagjeje në vizionin e ardhshëm urban të Prishtinës.

Në nëntor, 2024 në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë, u mbajt një punëtori e përbashkët, ku studentët dhe mësimdhënësit u angazhuan në diskutime dhe aktivitete intensive. Projekti vazhdon me punën e grupeve të përfshira, ndërsa në janar 2025 do të organizohen prezentimet e përbashkëta si pjesë e vlerësimit të vazhdueshëm. Ky projekt, i cili nisi në Tetor 2024, pritet të përfundojë në Shkurt 2025.

https://prishtina-resilience.com