Në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës të Univerisitetit të Prishtinës u mbajt ligjërata “Utt_X / Urbanization, Ecologization, Digitalization”, nga themeluesit e Urbanthinktank_next, Hubert Klumpner dhe Michael Walczak. Kjo ligjëratë u organizua në bashkëpunim në mes të Ambasadës së Austrisë në Prishtinë, Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës dhe Kosovo Architecture Foundation.
Në praninë e një numri të madh studentësh, stafit dhe menaxhmentit, dekanja Prof. Violeta Nushi, në emër të Fakultetit të Arkitekturës, falënderoi pjesëmarrësit dhe bëri hapjen e ligjëratës së Klumpner dhe Walczak. Ata prezantuan pjesë nga puna e praktikës së tyre arkitektonike dhe shpalosën përvojën e tyre lidhur me organizimin e ekspozitës “100 Ide për Ballkanin Perëndimor”. Hubert Klumpner dhe Michael Walczak do të jenë kuratorët e kësaj ekspozite, e cila do të organizohet edhe në Prishtinë në vitin 2025.
Fakulteti i Arkitekturës do të angazhohet aktivisht në lehtësimin dhe bashkëorganizimin e kësaj ngjarjeje.
Gjatë ligjëratës, kuratorët informuan studentët se thirrja për aplikime do të hapet në fillim të vitit 2025.
Propozimet për ekspozitë mund të përfshijnë ide personale, si dhe detyra të tyre semestrale. Në kuadër të kësaj nisme, Fakulteti i Arkitekturës do të organizojë gjithashtu punëtori përgatitore për studentët.