Prof. Dr. Arta Basha Jakupi mban ligjëratë në Universitetin e Granadës, Spanjë

25 Prill 2025
SHARE

Si pjesë e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar përmes programit Erasmus+, Prof. Dr. Arta Basha Jakupi, profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, zhvilloi një ligjëratë të veçantë në Escuela Técnica Superior de Arquitectura, pjesë e Universitetit të Granadës, gjatë muajit prill. Kjo vizitë u realizua me ftesë të Prof. María del Carmen Vilchez Lara.


Ligjërata u mbajt në një nga institucionet më të vjetra dhe më të njohura akademike në botën hispanike, në një atmosferë dinamike dhe kreative, ku Prof. Basha Jakupi ndau përvojën e saj të gjatë profesionale dhe akademike me kolegë dhe studentë. Ajo hapi një diskutim thelbësor mbi sfidat dhe zhvillimet në edukimin e arkitekturës sot, si dhe rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përmirësimin e qasjeve pedagogjike dhe profesionale.


Në fokus të takimit ishin edhe mundësitë për thellimin e partneritetit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Granadës, përmes projekteve të përbashkëta në fushën e arkitekturës dhe shkëmbimit të njohurive ndërdisiplinare.


Ky mobilitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të ndërkombëtarizimit të Fakultetit të Arkitekturës, duke fuqizuar rolin e tij në rrjetet akademike evropiane dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi për të ardhmen.