Takimi trepalësh me datë 13.09.2023
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mbi Arkitekturën dhe Urbanistikën të nënshkruar në mes të Fakulteteve përkatëse të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, më datën 13.09.2023, në hapësirat e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt takimi në mes të palëve të përfaqësuara nga Dekania e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Violeta Nushi, Prodekanet, Prof.Asoc.Dr. Teuta Jashari Kajtazi dhe Prof.Ass.Dr Arta Xhambazi, nga Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Armand Vokshi, si dhe nga Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Enis Jakupi dhe Prodekanët, Prof.Dr. Kujtim Elezi, Prof.Dr. Idaver Huseini dhe Prof.Ass.Dr. Nuran Saliu.
Ky takim kishte për qëllim konkretizimin e implementimit të marrëveshjes së bashkepunimit, më konkretisht konkursin për diplomën më të mirë me titull “Ndërto të ardhmen”, me qëllim të përfshirjes të të diplomuarve nga të gjitha Fakultetet apo Universitetet, nënshkruese të marrëveshjes në fjalë. Kjo nismë pritet të finalizohet me ekspozitë konkrete në Tiranë gjatë muajit tetor të këtij viti.
Po ashtu, është diskutuar për mundësinë e organizimit të eksurzioneve studimore të përbashkëta studentore gjatë vitit akademik 2023/2024, përfshirë këtu aspektin kulturor dhe rekreativ.
Të mësipërmes duhet të i shtohet edhe iniciativa e Dekanit, Prof.Dr. Armand Vokshi për hapjen e ekspozitës në Shkup të Maqedonisë së veriut, si pjesë e promovimit të botimit “Fragmente të Arkitekturës Bashkëkohore Shqiptare”, si vazhdimësi e ekspozitave paraprakisht të organizuara në Tiranë dhe Prishtinë.