Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës ka kënaqësinë të njoftojë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, duke formalizuar një bashkëpunim të rëndësishëm institucional në fushën e barazisë gjinore dhe arsimit të lartë.
Ky memorandum synon përfshirjen e një lënde mësimore me perspektivë gjinore në kurrikulën e Fakultetit të Arkitekturës, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e barazisë gjinore në planifikimin hapësinor dhe praktikën arkitektonike.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Agjencia për Barazi Gjinore, bazuar në parimet e respektimit të pavarësisë institucionale dhe përfitimit reciprok, janë dakorduar për angazhime të përbashkëta që përfshijnë, ndër të tjera: zhvillimin e aktiviteteve sensibilizuese për rëndësinë e integrimit të perspektivës gjinore në planifikimin hapësinor; ndryshimin dhe plotësimin e kurrikulës akademike të Fakultetit të Arkitekturës; si dhe organizimin e aktiviteteve informuese dhe edukative në fushën e barazisë gjinore dhe arkitekturës, në përputhje me standardet vendore dhe ndërkombëtare.
Agjencia për Barazi Gjinore është institucioni përgjegjës për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave për barazi gjinore në Republikën e Kosovës, duke luajtur një rol kyç në promovimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Marrëveshja është nënshkruar nga dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Violeta Nushi dhe Agjencia për Barazi Gjinore, me ndërmjetësim të Prof. Dr. Arta Basha Jakupi, nën prezencën e prorektores për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Prof. Asst. Dr. Rozafa Basha.
partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të perspektivës gjinore në arsimin e lartë dhe në fushën e arkitekturës në Kosovë, duke kontribuar në zhvillimin e praktikave profesionale më të ndjeshme ndaj çështjeve sociale dhe gjinore.



