Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës ka kënaqësinë të njoftojë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Next Plus, duke formalizuar një partneritet të rëndësishëm institucional në fushën e teknologjisë, inxhinierisë dhe zhvillimit profesional.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Next Plus, bazuar në parimet e respektimit të pavarësisë institucionale dhe të përfitimit reciprok, janë dakorduar për angazhime të përbashkëta që përfshijnë, ndër të tjera: angazhimin e studentëve në projekte profesionale dhe praktike; shkëmbimin e njohurive dhe kapaciteteve teknologjike; organizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; si dhe zhvillimin e iniciativave që kontribuojnë në avancimin e aftësive digjitale dhe profesionale të studentëve dhe stafit akademik.
Next Plus është kompani lider në Kosovë dhe Shqipëri në ofrimin e zgjidhjeve teknologjike dhe inxhinierike, me fokus në softuerë profesionalë si Autodesk, Transoft Solutions, StudioArs, Fine Software dhe CADprofi. Përmes implementimit të teknologjive të avancuara, trajnimeve të specializuara dhe bashkëpunimeve me institucione akademike, kompania kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe transformimin digjital të sektorit të ndërtimit dhe dizajnit. Me mbi 20 vite përvojë, Next Plus përfaqëson një partner të besueshëm për industrinë dhe arsimin.
Ky partneritet krijon një platformë të re bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke mundësuar integrimin e teknologjive bashkëkohore në procesin mësimor dhe duke përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës.
Marrëveshja është nënshkruar nga dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Violeta Nushi dhe z. Sabri Murati, drejtor ekzekutiv i Next Plus, me ndërmjetësim të Prof. Dr. Arta Basha Jakupi dhe Asst.adj. Dashnor Kadiri. Kjo marrëveshje është fasilituar nga prodekanja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe cilësi, Prof. Asst. Dr. Flaka Xërxa Beqiri.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së edukimit në fushën e arkitekturës me teknologjinë dhe inovacionin, në shërbim të studentëve, komunitetit akademik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë.



