Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës njofton për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Fondacionin për Gjakovën, duke formalizuar një partneritet bashkëpunimi në fushën e arkitekturës, zhvillimit urban dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Fondacioni për Gjakovën, bazuar në parimet e respektimit të pavarësisë institucionale dhe përfitimit reciprok, janë dakorduar për angazhime të përbashkëta që përfshijnë: përfshirjen e studentëve në projekte dhe iniciativa konkrete; shkëmbimin e përvojave dhe kapaciteteve profesionale; si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si punëtori, ekspozita, evente dhe iniciativa në funksion të zhvillimit urban dhe promovimit të qytetit të Gjakovës.
Fondacioni për Gjakovën është një organizatë joqeveritare që vepron me qëllim promovimin e Gjakovës si qendër e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, përmes aktiviteteve kulturore, sociale dhe zhvillimore, duke kontribuar në rigjallërimin ekonomik dhe angazhimin qytetar.
Ky partneritet synon të krijojë mundësi konkrete bashkëpunimi ndërmjet institucionit akademik dhe sektorit civil, duke përfshirë studentët në iniciativa reale dhe duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e hapësirave urbane dhe trashëgimisë kulturore.
Marrëveshja është nënshkruar nga dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Violeta Nushi, dhe z. Arian Lila, anëtar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Gjakovën, ndërsa është ndërmjetësuar nga Prof. Asst. Dr. Ardita Byci Jakupi. Kjo marrëveshje është fasilituar nga prodekanja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe cilësi, Prof. Asst. Dr. Flaka Xërxa Beqiri.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes ndërmjet profesionit, komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal.




