Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Fakultetit të Arkitekturës, UP dhe Adpt. Academy

12 Maj 2026
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës njofton për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Adpt. Academy SH.P.K., duke formalizuar një partneritet të orientuar në zhvillimin praktik dhe përgatitjen profesionale të studentëve në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, palët janë dakorduar për angazhime konkrete që përfshijnë: përfshirjen e studentëve në projekte dhe programe praktike; shkëmbimin e përvojave dhe kapaciteteve profesionale; si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si punëtori, studio praktike dhe trajnime të fokusuara në zhvillimin e aftësive të aplikueshme në tregun e punës.

Adpt. Academy është një platformë e specializuar në aftësimin praktik të arkitektëve të rinj, duke ofruar përvojë direkte pune dhe duke ndihmuar në ndërlidhjen e njohurive akademike me kërkesat reale të profesionit.

Ky partneritet synon të forcojë lidhjen ndërmjet studimit dhe praktikës profesionale, duke krijuar mundësi konkrete për studentët që të zhvillojnë aftësi të zbatueshme dhe të jenë më të përgatitur për tregun e punës.

Marrëveshja është nënshkruar nga dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Violeta Nushi, dhe z. Ideal Vejsa, drejtor menaxhues i Adpt. Academy, dhe do të zbatohet për një periudhë prej tri viteve akademike. Kjo marrëveshje është fasilituar nga prodekanja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe cilësi, Prof. Asst. Dr. Flaka Xërxa Beqiri.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së përgatitjes praktike të studentëve dhe forcimit të bashkëpunimit me sektorin profesional.