Marrëveshje mirëkuptimi me UNDP Kosovë për të mbështetur studentët drejt një karriere kreative

26 Korrik 2025
SHARE

akulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, duke shënuar fillimin e një partneriteti të ri që synon fuqizimin e studentëve përmes përfshirjes së tyre në sektorin kreativ.

Ky bashkëpunim është pjesë e projektit “Creative Industries”, i implementuar nga UNDP. Në kuadër të këtij projekti, përmes programit të praktikës (internshipit), studentët e rinj – veçanërisht vajzat dhe gratë, pakicat dhe të rinjtë nga komunitete të nën-përfaqësuara – do të kenë mundësinë të angazhohen në organizata joqeveritare dhe biznese kreative, që variojnë nga arkitektura dhe dizajni, deri te media dhe arti.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Fakulteti i Arkitekturës do të bashkëpunojë me UNDP për të:

🟡Informuar dhe përzgjedhur studentët që mund të përfitojnë nga ky program;

🟡Mbështetur përgatitjen e tyre profesionale përmes trajnimeve;

🟡Promovuar përfshirjen gjithëpërfshirëse dhe barazinë;

🟡Rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e sektorit kreativ dhe të vullnetarizmit.

Kjo marrëveshje në emër të Fakultetit të Arkitekturës është nënshkruar nga Dekanja Prof. Violeta Nushi, nën fasilitimin e Prodekanes për Bashkëpunime Ndërkombëtare dhe Cilësi, Prof. Asst. Flaka Xërxa Beqiri, përderisa u ndërmjetësua nga Asst. Dr. Arta Januzi Cana.

Jemi të lumtur që po e nisim këtë rrugëtim me UNDP Kosovë dhe besojmë fuqishëm se kjo iniciativë do të hapë dyer të reja për studentët tanë drejt karrierave të suksesshme në industrinë kreative.