Me datë 29 gusht 2025, Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës dhe GIZ Kosova nënshkruan një Deklaratë të Qëllimeve, duke shënuar fillimin e një bashkëpunimi të rëndësishëm në kuadër të programit Circular Urban Development – Kosovo4Green.
Ky bashkëpunim ka për qëllim realizimin e programit “Urban Development and Climate Resilience Lab”, i cili do të mbahet nga 13 – 22 tetor 2025, me fokus në planifikimin urban të ndjeshëm ndaj klimës. Programi do të sjellë së bashku studentë, mentorë dhe profesionistë për të eksploruar zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin urban, në bashkëpunim me komunat e Prizrenit, Gjakovës dhe Gjilanit.
Faza e parë: pjesëmarrësit punojnë në grupe tematikë në tri komunat partnere, përmes analizave në terren dhe aktiviteteve me komunitetin.
Faza e dytë: pjesëmarrësit mblidhen në Prishtinë për të zhvilluar propozime praktike dhe shkëmbim ndërdisiplinor, duke kombinuar edukimin praktik me formate të hapura për publikun.
Ky është vetëm fillimi i një partneriteti të frytshëm. Në prill 2026 planifikohet edicioni i dytë i këtij programi, ku do të marrin pjesë edhe studentë nga Gjermania dhe Zvicra, duke forcuar bashkëpunimin akademik dhe këmbimin ndërkombëtar të përvojave.
Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. Violeta Nushi, Dekane e Fakultetit të Arkitekturës dhe znj. Marianne Alker, Menaxhere e Programit Kosovo4Gree (përfaqësuese e GIZ Kosovo) në prezencën e Prof.Asst. Flaka Xërxa Beqiri, prodekane e FA-së, Prof.Asst. Ardita Byci Jakupi, Prof.Asst. Rron Beqiri, Genc Demiraj dhe Vildane Maliqi.
