Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës ka kënaqësinë të njoftojë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Tech Park Prishtina, duke formalizuar një partneritet të rëndësishëm institucional në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit profesional.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Tech Park Prishtina, bazuar në parimet e respektimit të pavarësisë institucionale dhe të përfitimit reciprok, janë dakorduar për angazhime të përbashkëta që përfshijnë, ndër të tjera: angazhimin e studentëve në projekte hulumtuese dhe profesionale; shkëmbimin e resurseve dhe kapaciteteve profesionale; organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; zhvillimin e mekanizmave për transferimin dhe artikulimin e mirënjohjeve të fituara në kuadër të projekteve hulumtuese dhe profesionale; si dhe iniciativa të tjera bashkëpunimi që mund të dalin nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve.
Tech Park Prishtina është qendra kryesore e inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë dhe një nxitës kyç i zhvillimit të sektorit ICT dhe sipërmarrjes teknologjike. Misioni i tij është të kontribuojë në ndërtimin e një ekonomie të bazuar në dijeni, ku teknologjia informative dhe komunikimi luan rol qendror, përmes mbështetjes së startup-eve, kompanive të teknologjisë, institucioneve arsimore dhe kërkimore, duke ofruar mentorim, burime, rrjete profesionale dhe mundësi konkrete bashkëpunimi.
Ky partneritet krijon një platformë të re bashkëpunimi ndër-disiplinar dhe ndër-sektorial, duke ndërthurur arkitekturën me teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen digjitale, si dhe duke kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve kreative dhe të qëndrueshme për shoqërinë.
Marrëveshja është nënshkruar nga Prof. Violeta Nushi, Dekane e Fakultetit të Arkitekturës, dhe znj. Vjollca Çavolli, Drejtore Ekzekutive e Tech Park Prishtina, në prani të z. Art Navakazi, Menaxher Projektesh në kuadër të Tech Park Prishtina. Kjo marrëveshje është ndërmjetësuar nga Prof. Arta Basha Jakupi dhe Asst. Rrona Berisha, nën fasilitimin e Prodekanes për Bashkëpunime Ndërkombëtare dhe Cilësi, Prof. Asst. Flaka Xërxa Beqiri, ndërsa në ceremoninë e nënshkrimit Fakulteti i Arkitekturës u përfaqësua gjithashtu nga Prof. Asoc. Vlora Navakazi.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së edukimit në lëminë e arkitekturës me teknologjinë dhe inovacionin, në shërbim të studentëve, komunitetit akademik, profesionistëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë.







