Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Fakultetit të Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës, dhe Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës

24 Dhjetor 2025
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës ka kënaqësinë të njoftojë për nënshkrimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), duke formalizuar një partneritet strategjik afatgjatë ndërmjet institucionit akademik dhe autoritetit kryesor profesional në fushën e arkitekturës në vend.

Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ndërlidhjes ndërmjet arsimit universitar dhe praktikës profesionale, me synimin për rritjen e cilësisë së edukimit arkitektonik, avancimin e standardeve profesionale dhe përgatitjen më të mirë të studentëve për tregun e punës dhe proceset e licencimit profesional. Bashkëpunimi mbështetet në parimet e pavarësisë institucionale, integritetit profesional, përfitimit reciprok dhe partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet akademisë dhe profesionit.

Në kuadër të kësaj Marrëveshjeje, Fakulteti i Arkitekturës dhe OARK do të bashkëpunojnë në mënyrë të strukturuar në disa drejtime kryesore, përfshirë: zhvillimin e kurrikulave dhe proceset e akreditimit; harmonizimin e rezultateve të të nxënit me kompetencat profesionale të arkitektit në përputhje me UIA dhe EAAE Charter for Architectural Education; organizimin e ligjëratave dhe moduleve profesionale të strukturuara, përfshirë temat e licencimit, etikës profesionale, përgjegjësive ligjore dhe praktikave evropiane; organizimin e konferencave, punëtorive, trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta me pjesëmarrje të studentëve, stafit akademik dhe profesionistëve të fushës si dhe njohjen e aktiviteteve kërkimore të Fakultetit të Arkitekturës si Edukim Profesional i Vazhdueshëm (CPD), në përputhje me rregulloret në fuqi të OARK.

Marrëveshja është nënshkruar në mjediset e FA-së nga Prof. Violeta Nushi, Dekane e Fakultetit të Arkitekturës, dhe z. Uran Kyçyku, Kryetar i Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, ndërsa procesi i bashkëpunimit është ndërmjetësuar nga Prof. Arta Basha Jakupi dhe Asst. Vlora Aliu, si dhe fasilituar nga Prodekanja për Bashkëpunime Ndërkombëtare dhe Cilësi pranë Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Asst. Flaka Xërxa Beqiri. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte e pranishme edhe Drejtoresha Ekzekutive e Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, znj. Besmira Sejdiu


Ky partneritet përforcon rolin e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës si institucion lider në edukimit në arkitekturë dhe dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Fakultetit dhe OARK për avancimin e profesionit të arkitektit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e lidhjes ndërmjet akademisë dhe praktikës profesionale.