Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Fakultetit të Arkitekturës dhe studios Froject Architecture

26 Korrik 2025
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me studion Froject Architecture, me qëllim të forcimit të partneriteteve dhe thellimit të bashkëpunimit akademik e profesional në fushën e arkitekturës. Kjo marrëveshje parasheh një gamë të gjerë aktivitetesh të përbashkëta, duke përfshirë:
 

  • Angazhimin e studentëve në projekte  profesionale;
  • Shkëmbimin e resurseve dhe ekspertizës ndërmjet dy institucioneve;
  • Organizimin e seminareve, punëtorive, studiove të përbashkëta, ekspozitave dhe konferencave;
  • Zhvillimin e formave të reja të bashkëpunimit të bazuara në dialog të hapur dhe respekt të ndërsjellë.

Fakulteti i Arkitekturës, me një mision të qartë për përgatitjen e kuadrove të specializuara në fushat e qëndrueshmërisë, projektimit arkitektonik, urbanizmit, trashëgimisë arkitekturale dhe teknologjisë në arkitekturë, sheh në këtë partneritet një mundësi të rëndësishme për ta forcuar lidhjen ndërmjet arsimit dhe praktikës profesionale.

Nga ana tjetër, Froject Architecture, një studio me qendër në Pejë dhe Prishtinë. që njihet për qasjen e saj bashkëkohore dhe të ndjeshme ndaj kontekstit lokal, do të sjellë një kontribut të çmuar për studentët dhe stafin e FA-UP përmes përvojës së saj në terren dhe praktikat krijuese të projektimit.

Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt ndërlidhjes më të ngushtë mes edukimit universitar dhe praktikës profesionale në arkitekturë, për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më inovative për profesionin e arkitektit.

 

Kjo marrëveshje në emër të Fakultetit të Arkitekturës është nënshkruar nga Dekanja Prof. Violeta Nushi, nën fasilitimin e Prodekanes për Bashkëpunime Ndërkombëtare dhe Cilësi, Prof. Asst. Flaka Xërxa Beqiri, përderisa u ndërmjetësua nga Prof. Asoc. Teuta Jashari Kajtazi dhe Asst. Dr. Vlora Aliu.