Fakulteti i Arkitekturës mori pjesë në punëtorinë ndërkombëtare të mbajtur në Tiranë dhe Vlorë, në kuadër të projektit kërkimor me temë: “Future Deployment of Small Modular Reactors for Seawater Desalination and Freshwater Security in Coastal Developments: The Green Coast Development as a Key Case Study”, në bashkëpunim ndërmjet tri universiteteve: École Spéciale des Travaux Publics – Grande école d’ingénieurs de la construction (ESTP), Paris, Francë; Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri; dhe Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës, Kosovë.
Në këtë punëtori njëjavore morën pjesë rreth njëzet studentë, nën mentorimin e mësimdhënësve: Prof. Dr. Paul-Louis Meunier, Dr. Ani Tola (Panariti), Dr. Juljan Veleshnja, Prof. Dr. Violeta Nushi dhe Dr. Arta Januzi Cana.
Rezultatet e projektit synojnë integrimin e inovacionit të Small Modular Reactors (SMR) si komponentë funksionalë në projektimin urban dhe arkitektonik. Këto sisteme energjetike do të shërbejnë si elemente orientuese për planifikimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare, duke ndikuar drejtpërdrejt në trajtimin urban dhe projektimin arkitektonik të hapësirave publike dhe rezidenciale, në funksion të krijimit të sistemeve ujore dhe energjetike reziliente. Kjo qasje inovative synon të reduktojë ndikimet negative në mjedis dhe të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për rajonet bregdetare, në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian për klimën, energjinë dhe reziliencën ujore.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij Mobiliteti Ndërkombëtar Erasmus+ është të nxisë bashkëpunimin akademik, si dhe shkëmbimin e njohurive dhe praktikave ndërmjet tri universiteteve, përmes aktiviteteve të përbashkëta kërkimore me qasje projektuese, të përqendruara në zhvillimin e qëndrueshëm bregdetar.







