Snøhetta dhe Fakulteti i Arkitekturës: një takim frymëzues në Kryeqytet

19 Janar 2026
SHARE

Me ftesë të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, sot në Reporting House u zhvillua një takim i veçantë i përqendruar në arkitekturë, me pjesëmarrjen e Kjetil Thorsen, bashkëthemelues i studios ndërkombëtare Snøhetta.

Në qendër të këtij takimi ishte Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës, përfaqësuar nga Prof. Arta Jakupi, së bashku me Dashnor Kadiri, Rrona Berisha, Urata Murseli dhe studentët e Fakultetit. Diskutimi u fokusua në mendimin arkitektonik bashkëkohor, procesin krijues, përgjegjësinë profesionale dhe përvojën shumëdimensionale të Thorsen si një nga arkitektët më me ndikim të kohës sonë.

Prania e Kjetil Thorsen në Prishtinë u theksua si vlerësim për orientimin profesional dhe ambicien arkitekturore që po kultivohet përmes edukimit dhe praktikës, si dhe si nxitje për të ndërtuar hapësira me identitet, qartësi konceptuale dhe cilësi ndërtimore. Takimi krijoi një hapësirë të drejtpërdrejtë shkëmbimi mes pedagogëve, profesionistëve dhe studentëve, duke forcuar lidhjen mes teorisë, praktikës dhe vizionit.

Gjatë qëndrimit, delegacioni se bashku dhe me Jorunn Sannes, Tae Young Yoon, dhe Bekim Ramkun vizituan projekte kyçe kulturore të Kryeqytetit—Tulltorja, Biblioteka për Fëmijë, Pallati i Rinisë dhe Galeria Kombëtare e Kosovës—si raste studimore për të diskutuar gjuhën arkitekturore, programin, materialitetin dhe marrëdhënien e hapësirës me përdoruesin.

Takime të tilla e pozicionojnë Fakultetin e Arkitekturës si një nyje aktive të dialogut ndërkombëtar arkitektonik, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja akademike dhe profesionale, si dhe për thellimin e kulturës arkitekturore që ndërton të ardhmen përmes mendimit, formës dhe përgjegjësisë krijuese.