Fakulteti i Arkitekturës prezanton programet dhe punimet e studentëve në panairet e tetorit 2025

28 Tetor 2025
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës ka marrë pjesë në dy panaire të mbajtura në muajin tetor në Prishtinë. Në këto ngjarje, Fakulteti i Arkitekturës prezantoi kurrikulën akademike, aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe punime të përzgjedhura të studentëve, duke dëshmuar përkushtimin ndaj cilësisë akademike dhe kreativitetit në fushën e arkitekturës dhe dizajnit të ndërtuar. Fakulteti u përfaqësua nga asistentja Rronë Berisha, PhD Cand., bashkëpunëtorja Miradie Ukshini, si dhe studentët Briland Sllauka dhe Zana Malaj, përfaqësues të Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Arkitekturës.

Pjesëmarrja e parë u realizua në Panairin e Universiteteve 2025, një ngjarje rajonale e organizuar nga Meta Career në bashkëpunim me International School of Prishtina, Mehmet Akif Schools – Kosova dhe Yahya Kemal Colleges – Maqedonia e Veriut. Panairi u mbajt më 15 tetor 2025 në Prishtinë, duke mbledhur mbi një mijë nxënës nga shkollat e mesme të rajonit. Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e rëndësishme për ndërveprim të drejtpërdrejtë me maturantë të interesuar, për prezantimin e programeve studimore dhe për shkëmbimin e përvojave akademike me institucione të tjera arsimore.

Po ashtu, më 18 tetor 2025, Fakulteti i Arkitekturës mori pjesë në Panairin Studentor 2025, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në lokacionin “Tuneli i Kurrizit” në Prishtinë. Kjo ngjarje synonte të krijonte një platformë bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, studentëve dhe sektorit privat, ku studentët patën mundësinë të prezantonin projektet e tyre inovative dhe idetë arkitektonike para komunitetit të biznesit dhe atij akademik.

Pjesëmarrja në këto dy panaire përforcon angazhimin e Fakultetit të Arkitekturës për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe tregun e punës, si dhe për të promovuar arritjet e studentëve dhe stafit akademik në nivel vendor dhe ndërkombëtar.