Delegacioni i Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, në përbërje prej dekanes dhe nëntë profesorëve, zhvilloi një vizitë të suksesshme në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien), me qëllim të formalizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për nisjen e programit të përbashkët të doktoratës (Joint PhD Program) në Arkitekturë dhe Urbanizëm. Ky takim shënon përmbushjen e pikës më të rëndësishme strategjike të Fakultetit të Arkitekturës, inicimin e studimeve të doktoratës në lëminë e arkitekturës, si program pionir i këtij niveli studimesh në Republikën e Kosovës.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga përfaqësues të Universitetit Teknik të Vjenës, përfshirë znj. Jasmin Gründling-Riener, Prorektore për Çështje Akademike, Prof. Rudolf Scheuvens, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit, dhe Prof. Norbert Trolf, Dekan për Çështje Akademike në Arkitekturë. Në kuadër të takimeve, u zhvilluan diskutime akademike dhe profesionale mbi organizimin e studimeve të doktoraturës, përmes përvojave të kolegëve, profesorëve Thomas Dillinger dhe Andreas Voigt në kuadër të “Research Laboratory Space” dhe përgjithësisht studimeve të doktoratës në TU Wien.
Delegacioni i Fakultetit të Arkitekturës përbëhej nga dekanja e FA-së, prof. Violeta Nushi, prodekanet Prof. asoc. Arta Xhambazi dhe Prof. asst. Flaka Xërxa Beqiri, si dhe anëtarët e grupit punues për studimet e doktoratës në përbërje të: Prof. Arta Basha Jakupi, Prof. Florina Jerliu, Prof. asoc. Mimoza Dugolli, Prof. asoc. Teuta Jashari Kajtazi, Prof. asoc. Vlora Navakazi dhe Prof. asst. Dukagjin Hasimja, ndërmjetësues alumni i këtij bashkëpunimi.
Ky bashkëpunim, i inicuar përmes implementimit të projektit “PhD in Sustainable Architecture and Spatial Planning”, në kuadër të platformës SHER – Sustainable Higher Education and Research in Kosovo, shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të studimeve dhe fuqizimit të kapaciteteve akademike të Fakultetit të Arkitekturës në fushën e kërkimit shkencor, duke vendosur bazat për një partneritet afatgjatë ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Teknik të Vjenës.
Në nëntor, Fakulteti i Arkitekturës do të mirëpres përfaqësues të TU Wien, Profesorët Thomas Dillinger dhe Andreas Voigt, në cilësinë e kontribuesve të Konferencës së IV-të Ndërkombëtare, IPAU 2025, me titull “Doctoral Studies in the Faculty of Architecture, Advancing Research and Academic Excellence”.










