Prof. Dr. Arta Jakupi angazhohet si eksperte ndërkombëtare për vlerësimin e programeve të doktoratës në Rumani

18 Korrik 2026
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës me krenari njofton se prof. dr. Arta Jakupi është angazhuar si eksperte ndërkombëtare nga Agjencia Rumune për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë për vlerësimin e programeve të doktoratës në fushën e arkitekturës në dy prej universiteteve më të njohura të Rumanisë. Gjatë këtij muaji, ajo ka realizuar dy procese të pavarura të vlerësimit të programeve PhD, duke përfaqësuar Universitetin e Prishtinës dhe Kosovën në proceset evropiane të sigurimit të cilësisë.

Përzgjedhja e saj është rezultat i një përvoje të gjerë ndërkombëtare në arsimin e lartë, sigurimin e cilësisë dhe kërkimin shkencor. Gjatë karrierës akademike, prof. Jakupi ka kryer studime dhe angazhime profesionale në universitete prestigjioze evropiane dhe amerikane, ka ushtruar funksione drejtuese në Universitetin e Prishtinës, ka qenë pjesë e proceseve kombëtare dhe ndërkombëtare të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë, si dhe deri më sot ka kontribuar në vlerësimin e dhjetëra programeve të studimit dhe institucioneve të arsimit të lartë në Evropë.

Ky angazhim përfaqëson një vlerësim të ekspertizës së stafit akademik të Fakultetit të Arkitekturës dhe një dëshmi të besimit që institucionet evropiane u japin kapaciteteve akademike të Universitetit të Prishtinës, duke forcuar më tej rolin e tij në proceset ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.