Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Këshillin e Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KNGJK), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit institucional në fushën e arkitekturës së qëndrueshme, edukimit profesional dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike e profesionale.
Marrëveshja synon të inkurajojë dhe forcojë partneritetin ndërmjet dy institucioneve përmes zgjerimit të programeve hulumtuese dhe profesionale, si dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik. Bashkëpunimi do të mbështetet në parimet e përfitimit reciprok dhe të shfrytëzimit të ekspertizës dhe kapaciteteve të të dy institucioneve.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashihet angazhimi i studentëve në programe dhe projekte hulumtuese e profesionale, shkëmbimi i resurseve dhe kapaciteteve profesionale, si dhe organizimi i përbashkët i seminareve, punëtorive, studiove, ekspozitave dhe konferencave. Gjithashtu, marrëveshja krijon bazë për zhvillimin e iniciativave të tjera të përbashkëta që do të kontribuojnë në avancimin e njohurive dhe praktikave në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit të qëndrueshëm.
Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës është një organizatë e përkushtuar në promovimin e praktikave të qëndrueshme në ndërtim, edukimin profesional dhe përmirësimin e performancës së ndërtesave përmes zgjidhjeve me efikasitet energjetik dhe arkitekturës së gjelbër. Në kuadër të aktiviteteve të saj, KNGJK është partner ekskluziv i DGNB Academy – Këshilli Gjerman për Ndërtim të Qëndrueshëm, duke ofruar trajnime profesionale dhe certifikime sipas standardeve ndërkombëtare të qëndrueshmërisë.
Fakulteti i Arkitekturës mbetet i përkushtuar në zhvillimin e bashkëpunimeve strategjike me institucione dhe organizata relevante, me synim krijimin e mundësive të reja për studentët, forcimin e lidhjes ndërmjet akademisë dhe praktikës profesionale, si dhe promovimin e qasjeve inovative dhe të qëndrueshme në arkitekturë dhe ndërtim.


