Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës përmbylli me sukses fazën e dytë të punëtorisë ndërkombëtare të zhvilluar në Paris, në kuadër të projektit kërkimor me temë: “Future Deployment of Small Modular Reactors for Seawater Desalination and Freshwater Security in Coastal Developments: The Green Coast Development as a Key Case Study”.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim ndërmjet tri institucioneve akademike partnere: École Spéciale des Travaux Publics (ESTP), Paris – Francë, Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës.
Punëtoria njëjavore mblodhi rreth njëzet studentë nga universitetet partnere, të cilët punuan në zhvillimin e zgjidhjeve inovative që ndërlidhin arkitekturën, planifikimin hapësinor, teknologjitë e qëndrueshme energjetike dhe sigurinë e burimeve ujore në zhvillimet bregdetare.
Aktivitetet u zhvilluan nën mentorimin e profesorëve dhe studiuesve: Prof. Dr. Paul-Louis Meunier, Prof. Dr. Andrea Maliqari, Prof. Dr. Violeta Nushi, Dr. Ani Tola (Panariti), Dr. Juljan Veleshnja, Dr. Arta Januzi Cana dhe Dr. Jonila Prifti.
Një arritje e veçantë e këtij bashkëpunimi ishte përzgjedhja e projektit si pjesë e Innovation Day në ESTP, ku rezultatet paraprake të kërkimit u prezantuan para komunitetit akademik dhe profesional. Si vazhdim i këtij suksesi, rezultatet përfundimtare të projektit do të prezantohen në një ekspozitë të organizuar në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Tiranë.
Qëllimi i këtij mobiliteti ndërkombëtar dhe i projektit kërkimor është forcimi i bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve partnere, promovimi i kërkimit ndërdisiplinor dhe zhvillimi i zgjidhjeve inovative që adresojnë sfidat bashkëkohore të qëndrueshmërisë, energjisë dhe mjedisit.
Fakulteti i Arkitekturës shpreh mirënjohjen për studentët që kontribuuan në realizimin e këtij projekti dhe në përfaqësimin dinjitoz të universitetit në një mjedis akademik ndërkombëtar, duke përfshirë: Hippolyte Hladky, Paul Antoine Paolantoni, Diane Nguyen, Zoé Valigny, Pierre-Étienne De Cherade De Montbron, Mattia Bierer, Thibault Laierre, Suada Leka, Migena Cangu, Klejda Kotorri, Emilia Alushaj, Erisa Domazeti, Bashkim Bajrami, Krenare Zejnullahu, Rone Dermaku, Shaha Sopa dhe Valerjon Shabanhaxhaj.
Ky projekt, i iniciuar tashmë në një periudhë trivjeçare, dëshmon angazhimin e Fakultetit të Arkitekturës për ndërkombëtarizimin e studimeve, avancimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik në rrjete prestigjioze ndërkombëtare.













