Prof. Dr. Florina Jerliu prezantoi në simpozium ndërkombëtar në MIT, SHBA

05 Nëntor 2025
SHARE

Prof. Dr. Florina Jerliu, profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar “Grassroots Initiatives in Cultural Heritage Preservation”, të organizuar nga Aga Khan Documentation Center (AKDC) dhe Aga Khan Program for Islamic Architecture (AKPIA) në Massachusetts Institute of Technology (MIT), më 18 tetor 2025.

Në këtë ngjarje të rëndësishme akademike, e cila trajtoi rolin e komuniteteve lokale në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në kontekste konflikti dhe rindërtimi, Prof. Jerliu prezantoi punimin e saj me temë “Academic Contribution to Cultural Heritage Preservation in Kosovo”. Prezantimi paraqiti një përmbledhje të kontributit afatgjatë të Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Përmes rasteve studimore si dokumentimi emergjent i monumenteve që nga periudha e hershme e pasluftës, hartëzimi socio-hapësinor i qyteteve historike si Janjeva e Mitrovica dhe dizajni interpretues i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe, u dëshmua se si arsimi i lartë mund të veprojë si katalizator për përfshirje qytetare, ndërtim besimi dhe rivendosje të kujtesës kolektive.

Ky përfaqësim në Massachusetts Institute of Technology (MIT), përbën një arritje të rëndësishme për Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, duke e pozicionuar atë në skenën ndërkombëtare të debatit mbi trashëgiminë arkitekturale. Pjesëmarrja e Prof. Jerliut në këtë simpozium nënvizon rolin udhëheqës që fakulteti ka marrë në promovimin e qasjeve bashkëkohore në fushën e arkitekturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë.