Për Maturantët

Për Maturantët

Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës është vendi i duhur për ju! Nëse jeni maturant dhe synoni të bëheni pjesë e një prej institucioneve më të rëndësishme akademike në Kosovë, ne ju mirëpresim si gjeneratë e re e nxënësve të talentuar e të përkushtuar që të kontribuoni në zhvillimin e hapësirës sonë të përbashkët përmes profesionit të arkitektit.

Fakulteti i Arkitekturës vazhdon të pranojë nxënësit më të mirë, të cilët përgatiten të bëhen profesionistë të suksesshëm dhe konkurrentë në tregun e punës. Njëkohësisht, ata bëhen dhe mbesin pjesë e familjes së madhe universitare të Universitetit të Prishtinës.

Në fakultetin tonë, ju do të keni mundësinë të studioni me programe të standardeve bashkëkohore, të përfshiheni në projekte inovative dhe të përfitoni njohuri nga një staf akademik i përkushtuar dhe bashkëkohor. Përmes mësimdhënies, kërkimit dhe aktiviteteve praktike, ne ju ndihmojmë të zhvilloni shkathtësi kërkimore, krijuese, kritike dhe profesionale që janë thelbësore për sfidat urbane, të dizajnit e të ndërtimit të së ardhmes!

Nëse dëshironi të informoheni më shumë për programet tona studimore dhe procesin e pranimit, ju ftojmë të na vizitoni ose të na kontaktoni në çdo kohë!

Bëhuni pjesë e një komuniteti dinamik që ndikon në formësimin e hapësirës urbane dhe të mjedisit të ndërtuar me qasje të qëndrueshme, inovative dhe sociale!

Pse të studioni në Fakultetin e Arkitekturës?

·         Arsimim cilësor me fokus në arkitekturë të qëndrueshme, projektim, urbanizëm dhe trashëgimi.

·         Edukim nga stafi akademik me përvojë ndërkombëtare dhe angazhim në kërkime shkencore.

·         Ndërlidhje të ngushtë me industrinë dhe sektorin publik.

·         Pjesëmarrje në projekte të aplikueshme dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

·         Mundësi për zhvillim akademik dhe profesional në nivel lokal dhe global.

Programet Studimore që ofron FA:

1.      BSc | Arkitekturë | 180 ECTS

2.      MSc | Arkitekturë me Specializime | 120 ECTS
– Qëndrueshmëri Arkitektonike
– Projektim Arkitektonik
– Urbanizëm dhe Planifikim Urbanistik
– Trashëgimi Arkitekturale
– Arkitekturë dhe Teknologji
– Efiçiencë e Energjisë

3.      MSc | Efiçiencë e Energjisë | 120 ECTS