Rreth nesh
Fakulteti i Arkitekturës është një nga katërmbëdhjetë (14) njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përfaqëson institucionin qendror të arsimit të lartë në fushën e arkitekturës në Kosovë. Me një traditë mbi katër dekada në edukimin arkitektonik, Fakulteti ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e profilit profesional të arkitektit dhe në zhvillimin e mjedisit të ndërtuar në vend, rajon dhe më gjerë.
Në përputhje me misionin dhe vizionin e tij akademik, Fakulteti i Arkitekturës zhvillon veprimtari mësimore, kërkimore dhe krijuese që ndërthurin dijen teorike me praktikën profesionale, duke iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të shoqërisë, qytetit dhe mjedisit. Procesi arsimor dhe kërkimor strukturohet rreth pesë boshteve kryesore të specializimit: qëndrueshmëria arkitektonike dhe ndërtimore, projektimi arkitektonik, planifikimi hapësinor dhe urbanizimi, trashëgimia arkitektonike dhe teknologjia në arkitekturë. Këto boshte përfaqësojnë fushat kyçe të zhvillimit akademik dhe profesional, përmes të cilave Fakulteti promovon arkitekturën si disiplinë ndërdisiplinore, kulturore dhe shoqërore.
Në kuadër të boshtit të qëndrueshmërisë, Fakulteti adreson çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm, efiçiencës së energjisë, reziliencës dhe dizajnit të përgjegjshëm ndaj mjedisit. Projektimi arkitektonik kultivohet si proces krijues dhe kritik, i ndërlidhur me kontekstin, formën dhe përvojën hapësinore. Planifikimi hapësinor dhe urbanizimi trajtojnë transformimet urbane dhe territoriale në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të integruar, ndërsa trashëgimia arkitektonike shihet si burim identiteti, kujtese dhe zhvillimi përmes qasjeve bashkëkohore të ruajtjes dhe ripërdorimit adaptiv. Teknologjia në arkitekturë përfshin materialet, sistemet konstruktive dhe teknologjitë digjitale që mbështesin inovacionin dhe performancën e mjedisit të ndërtuar.
Aktualisht, Fakulteti numëron njëzet e pesë (22) anëtarë të personelit akademik në marrëdhënie të rregullt pune dhe njëzet e katër (24) mësimdhënës të angazhuar si bashkëpunëtorë të jashtëm, ndërsa procesin mësimor e ndjekin rreth një mijë e dyqind e dyzet (1 240) studentë aktivë. Struktura akademike përbëhet nga Departamenti i Arkitekturës dhe Departamenti i Efiçiencës së Energjisë, të cilët ofrojnë programe studimore në nivel Bachelor dhe Master, të ndërtuara në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë.
Përmes programeve të tij studimore dhe veprimtarisë akademike, Fakulteti i Arkitekturës synon të formojë profesionistë të përgjegjshëm, krijues dhe kritikë, të aftë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të ndërtuar, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në avancimin e dijes arkitektonike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.