Prof. Dr. Violeta Nushi

Prof. Dr. Violeta Nushi

Dekane

Nr.kontaktues:

+381 38 224 751

Të dashur studentë të gjeneratës së re,

Mirë se erdhët në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës!

Ky moment shënon një kapitull të ri jo vetëm për ju, por edhe për Fakultetin tonë, i cili tashmë ka hyrë në gjysmëshekullin e tij të dytë. Që nga themelimi, misioni ynë ka qenë të formojmë kuadro të afta e të përgjegjshme për të ndikuar në mjedisin natyror e të ndërtuar, në dizajnin e hapësirave të banimit e të qytetit, në ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike dhe në përballjen me sfidat urbane.

Sot, më shumë se kurrë, arkitektura kërkon qasje të reja. Përballë ndryshimeve klimatike, transformimeve urbane, teknologjive digjitale dhe globalizimit, Fakulteti ynë është i përkushtuar të ju pajisë me aftësi për projektim holistik – një të menduar që i përgjigjet paradigmave rezilinete dhe që shikon arkitekturën si një fushë ndërdisiplinore, të lidhur me shkencën, teknologjinë dhe shoqërinë.

Vendimi juaj për të studiuar këtu është një hap i guximshëm drejt një profesioni që kërkon përkushtim, imagjinatë dhe ndjeshmëri. Studimet nuk do të jenë vetëm një rrugëtim i ligjëratave, punëtorive dhe provimeve, por një periudhë e pasur me eksperienca, miqësi dhe mundësi për të zhvilluar vizionin tuaj si krijues të së ardhmes.

Në Fakultetin tonë do të mësoni të bëni pyetje të rëndësishme:

  • Si mund ta bëjmë arkitekturën më humane dhe gjithëpërfshirëse?

  • Në ç’mënyrë hapësirat mund të përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e njeriut?

  • Si t’u përgjigjemi sfidave të qëndrueshmërisë, energjisë dhe urbanizimit të shpejtë?

Këto pyetje do të jenë udhërrëfyesi juaj gjatë këtij rrugëtimi. Ne si staf akademik jemi këtu për t’ju orientuar, por suksesi do të vijë nga kurioziteti, përkushtimi dhe vizioni juaj personal.

Ju ftoj ta shihni Fakultetin e Arkitekturës jo vetëm si një institucion arsimor, por si një laborator idesh, inovacionesh dhe bashkëpunimesh, ku ju do të formoheni si profesionistë, por edhe si qytetarë aktivë që e shohin arkitekturën si mision shoqëror.

Së fundi, ju uroj me gjithë zemër një fillim të mbarë dhe një rrugëtim të frytshëm akademik. Le të jetë kjo periudhë jo vetëm themel i profesionit tuaj, por edhe një nga pjesët më të bukura të jetës tuaj.

Mirë se erdhët në Fakultetin e Arkitekturës!

Dekane,
Prof. Dr. Violeta Nushi

Prof. Dr. Violeta Nushi është Dekane nga viti 2020 dhe profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës, në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Studimet e doktoratës në fushën e arkitekturës i ka përfunduar në qershor të vitit 2007 në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ajo gëzon një ekspertizë të konsoliduar dhe afatgjate në zhvillimin e edukimit arkitektonik, legjislacionin e ndërtimit, efiçiencën e energjisë në ndërtesa, si dhe në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. Interesat e saj kërkimore dhe akademike përfshijnë konstruksionin e elementeve arkitektonike, mbështjellësin e ndërtesës dhe fasadat, metodologjinë e hulumtimit në arkitekturë, arkitekturën e qëndrueshme, si dhe efiçiencën e energjisë në ndërtesa.

Prof. Dr. Nushi është instruktore në Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës dhe trajnuese për përgatitjen e auditorëve të efiçiencës së energjisë në ndërtesa. Ajo ka një përvojë profesionale mbi 35-vjeçare si inxhiniere e arkitekturës dhe ndërtimit, duke shërbyer në institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Entin për Urbanizëm dhe Projektim, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, si dhe institucione të tjera relevante.

Ajo është autore e monografisë “Arritja e qëndrueshmërisë përmes formës arkitektonike”, si dhe autore dhe bashkautore e një numri të konsiderueshëm punimesh shkencore dhe hulumtuese. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në projekte ndërkombëtare kërkimore shkencore, përfshirë COST TU0901, COST TU0905 dhe COST TU1403, si dhe koordinatore e projektet ndërkombëtare: TEMPUS – DAPEEWB dhe SHER - Joint Degree PhD Program in Sustainable Architecture and Spatial Planning.  Gjithashtu, ka shërbyer si anëtare e Këshillit të Shkencës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) gjatë periudhës 2012–2019, është anëtare e International Association for Life-Cycle Civil Engineering (IALCCE) nga viti 2014 e në vazhdim, nënkryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës gjatë viteve 2009–2013, si dhe vlerësuese e bursistëve nga Kosova në programin DAAD gjatë periudhës 2014–2019.

Ajo mund të kontaktohet në adresën elektronike:
[email protected] 

  • Dekanja, për punën e saj, i përgjigjet Rektorit dhe ushtron këto detyra dhe përgjegjësi:

  • Të sigurojë udhëheqje akademike në fushat përkatëse për zhvillimin e mësimit, të kërkimeve shkencore dhe të krijimtarisë artistike në fakultet.

  • Të sigurojë shfrytëzimin efikas, ekonomik dhe efektiv të mjeteve financiare të alokuara për fakultetin në buxhetin vjetor, duke përfshirë edhe fondet e gjeneruara nga burime të jashtme.

  • Të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e vendimeve, detyrave dhe politikave të miratuara nga Këshilli i Fakultetit dhe Senati i Universitetit.

  • Të sigurojë informata të mjaftueshme dhe të rregullta për Rektorin dhe Këshillin Drejtues lidhur me shfrytëzimin e mjeteve financiare, si dhe për rezultatet e arritura në procesin mësimor, kërkimin shkencor dhe krijimtarinë artistike, në përputhje me dispozitat e këtij Statuti.

  • Të përfaqësojë Këshillin e Fakultetit në Senatin e Universitetit të Prishtinës.

  • Të emërojë prodekanët dhe të përcaktojë fushëveprimin në përputhje me nevojat funksionale dhe akademike të fakultetit.

  • Të udhëheqë procesin e planifikimit strategjik dhe vjetor në nivel fakulteti, si dhe të hartojë raportin vjetor të punës së fakultetit.

  • Të udhëheqë procesin e planifikimit dhe realizimit të programeve studimore, përfshirë përcaktimin e vëllimit të angazhimit të personelit akademik në mësimdhënie, kërkime shkencore dhe aktivitete shërbyese ndaj institucionit dhe komunitetit.

  • Të menaxhojë sistemin e monitorimit dhe vlerësimit të performancës së personelit akademik, në përputhje me rregulloret dhe sistemin e miratuar nga Senati.

  • Të udhëheqë proceset e vlerësimit të brendshëm dhe sigurimit të cilësisë në nivel fakulteti, në bashkëpunim me prodekanët, departamentet dhe strukturat përkatëse, sipas sistemit të brendshëm të sigurimit të cilësisë të miratuar në nivel universiteti.

  • Të përfaqësojë Universitetin në çështje ligjore në emër të fakultetit vetëm me autorizim të veçantë të Rektorit, të përcaktuar me rregullore ose me akt tjetër përkatës.

  • T’i kryejë edhe detyrat e tjera të dekanit që parashihen me Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe aktet nënligjore në fuqi.