Fakulteti

Historiku i Fakultetit

 

Fakulteti i Arkitekturës (FA) është themeluar në vitin 2019 si njësi e pavarur akademike e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina“. Studimet e  arkitekturës kanë  filluar në vitin 1978, si Departamenti i Arkitekturës në kuadër të Fakultetit Teknik, si njësi plotësisht e barabartë me Ndërtimtarinë, Elektroteknikën dhe Makinerinë.

Fakulteti i Arkitekturës (FA) si njësi akademike e Universitetit të Prishtinës është institucion publik i arsimit të lartë, i cili organizon dhe zhvillon studimet universitare, punën e lartë shkencore dhe punën profesionale. Ndër rolet kryesore, si njësi akademike moderne për shoqëri demokratike, është që të sigurojë ngritje arsimore profesionale e shkencore që përcjellë zhvillimet bashkëkohore në fushat përkatëse të arkitekturës për edukimin dhe arsimin e lartë.

Misioni i FA-së është të krijojë kuadro me arsim të lartë e profesional për tregun e punës në  fushat e arkitekturës, përkatësisht ekspert në lëmin e urbanizmit, projektimit dhe trashëgimisë ndërtimore, të cilët me njohurit e fituara do të përmirësojnë praktikën, arsimin dhe punën kërkimore-shkencore në fushat e përmendura.

Mësimdhënia dhe kërkimet, paraqesin veprimtaritë kryesore të kësaj njësie akademike. Bashkëveprimi ndërmjet veprimtarisë mësimdhënëse dhe asaj kërkimore-shkencore është esencial për veprimtarin e njësisë akademike të FA-së, e cila karakterizohet me sinergji të krijimtarisë shkencore e artistike. Kjo, për faktin se, për arritjen e rezultateve të dëshiruara në studime, mësimdhënia duhet të jetë e pa ndarë nga puna kërkimore, inventive e kreative.

Objektivat e FA-së janë të fokusuara në kuadër të aktiviteteve për arritjen e synimeve në:

  • - mësimdhënie dhe ngritje të cilësisë së studimeve të arkitekturës në kuadër të arsimit të lartë;
  • - kërkime të vazhdueshme shkencore në fushat e arkitekturës, me fokus në  qëndrueshmërinë urb-arkitektonike; urbanizëm dhe planifikim hapësinor; projektim; trashëgimi kulturore; teknologji të aplikuar në arkitekturë; dhe efiçiencë të energjisë; në shërbim të shoqërisë dhe vendit në përgjithësi;
  • - arsimim të lartë të kuadrove profesionalisht kompatibile me kërkesat e tregut dhe me standardet evropiane;
  • - aktivitete profesionale në fushat e arkitekturës për përmbushjen e kërkesave të ekonomisë e të institucioneve publike shtetërore;
  • - zhvillim të teknologjisë dhe inovacionit në fushën e arkitekturës;
  • - bashkëpunim me institucione tjera të arsimit të lartë në nivel nacional, rajonal e ndërkombëtar; 
  • - bashkëpunim për projekte kërkimore-shkencore e profesionale me institucione vendore e ndërkombëtare.

 

Qëllimi i FA-së është që të ketë rol udhëheqës në zhvillimin e arsimit, shkencës, shoqërisë dhe ekonomisë dhe gjithashtu të krijojë dhe të mbështes standardet më të larta në fushën e mësimdhënies dhe mësimnxënies për arkitekturën. FA-së kërkon t’u përshtatet standardeve evropiane dhe të integrohet plotësisht në zonën evropiane të arsimit të lartë sipas Deklaratës së Bolonjës.

Vizioni i FA-së është të krijojë, të zhvillojë, të mbrojë dhe të transmetojë njohuri përmes mësimdhënies dhe punës kërkimore-shkencore, po ashtu të ofrojë mundësi për të gjithë banorët e Kosovës për të përfituar nga ky arsim gjatë gjithë jetës së mësimit tërëjetësor pa kufizime. Në këtë mënyrë niveli universitar i studimeve në njësi akademike arrin të parapërgatitë studentë për t’iu përshtatur mirë dhe shpejt kërkesave bazë apo të avancuara të tregut të punës. Njëkohësisht, niveli universitar krijon premisa të mira për vazhdimin e studimeve në nivele më të larta, përmes njohurive lehtësisht të transferueshme në disiplina të përafërta në nivelin ndërkombëtarë.

Aktualisht FA-së ofron dy programe studimore të akredituara, Master Shkencor (MSc) dhe Master Profesional (MP); dhe një program studimor në proces të akreditimit, Master Shkencor me Specalizim (MSc – Spc)

  • - MSc Arkitekturë, të cilat janë studime të integruara me BSc, me gjithsej 300 ECTS;
  • - MP Efiçiencë e Energjisë, të cilat janë studime profesionale, me gjithsej 60 ECTS; dhe
  • - MSc Arkitekturë me Specializim, të cilat janë studime të integruara me BSc dhe me Specializim, në njërën nga fushat, si: arkitekturë e përgjithshme, urbanizëm dhe planifikim hapësinor, projektim, trashëgimi kulturore dhe IT teknologji e aplikuar në arkitekturë, me gjithsej 300 ECTS (në proces të akreditimit).

 

Programet studimore, Arkitekturë dhe Efiçiencë e Energjisë, në mënyrë të përgjithshme përbëhen nga: lëndët obligative; lëndët zgjedhore; dhe punimi i diplomës, i nivelit Master i integruar (MSc Arkitekturë) dhe i nivelit Master Profesional (MP Efiçeincë e Energjsë), të cilat janë të bazuara në fitimin e njohurive e kërkimeve paraprake. Në përgjithësi shpërndarja e kredive është 30 ECTS kredi për çdo semestër apo 60 ECTS kredi për vit.

Programi studimor MSc Arkitekturë është program studimor i  integruar 5 vjeçar, që ka në vetvete nivelin  Bachelor dhe Master. Tërësia e ECTS kredive që duhet të grumbullohen në këtë periudhë është 300 ECTS kredi, në kohëzgjatje prej 5 viteve, përkatësisht 10 semestra, duke përfshirë edhe punimin e diplomës MSc; me mundësi të ndërprerjes pas tri viteve në nivelin Bachelor, që përfshinë grumbullimin e minimum 180 ECTS kredive dhe punimin e diplomës BSc.

Programi studimor MP Eficiencë e Energjisë është program studimor profesional 1 vjeçar, i cili mund të vijohet pas përfundimit të nivelit BSc ose MSc i integruar. Tërësia e kredive të parapara që duhen të grumbullohen në këtë periudhë është 60 ECTS kredi, në kohëzgjatje prej 1 viti, përkatësisht 2 semestra, duke përfshirë edhe punimin e diplomës Master Profesional.

Mësimdhënia dhe mësimnxënia realizohet në formë të ligjëratave, seminareve, ushtrimeve numerike dhe laboratorike, punëve eksperimentale, punëve praktike në teren, punëtorive në studio, vizitave studimore, diskutimeve profesionale, projekteve, konsultimeve profesionale dhe përmes punimeve kërkimore të studentëve.