NJOFTIM - SOT, ME DATË 12.09.2020, MORËM LAJMIN E HIDHUR PËR NDARJEN E PAPRITUR NGA JETA TË PROF.ASS.DR. BUJAR BAJÇINOVCI

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut dhe profesorit tonë të respektuar e të dashur, i cili ndër vite dha shembullin më të mirë të angazhimit e të përkushtimit për akademike.

Profesor, Arkitekt Bujar Bajçinovci  kishte një rrugë të përmbushur jetësore, gjithnjë produktive e krijuese, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithëve.

Edhe pse jetoi në një periudhë të shkurtër jetësore, profesor Bujari ka radhitur suksese të merituara në zhvillimin e vet akademik dhe profesional, në të cilin është mbështetur edhe përparimi i studimeve të arkitekturës në mjedisin Kosovar. Ai ka dhënë kontributin e vet në arsimimin e brezave të rinj edhe në kushte kur Universiteti i Prishtinës punonte jashtë institucioneve të tij.

Prof. Bujar Bajçinovci ka lindur më 31 Janar 1965 në Prishtinë, ku edhe mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme. Diplomoi pranë Fakultetit Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, në Departamentin e Arkitekturës,  më 03 Korrik 1991 dhe fitoi titullin Inxhinier i Diplomuar i Arkitekturës. Studimet pas universitare në nivelin e Doktoratës i përfundoi me 24 Dhjetor 2012 në Universitetin e Sarajevës, në Fakultetin e Arkitekturës. Që nga viti akademik 1992/1993 filloj angazhimin në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, fillimisht si asistent, e nga viti akademik 2017/2018 e deri më tani si Profesor në Fakultetin e Arkitekturës.

Profesor Bujari ishte mësimdhënës në lëndët e Projektimit të ndërtesave Ekonomike që nga angazhimi i tij fillestar. Përveç mësimdhënies ka kryer edhe shumë punë profesionale dhe shkencore me rëndësi në lëmin e arkitekturës. Ka qenë pjesëmarrës në shumë Konferenca Shkencore e Profesionale, në aktivitetet e përfaqësimit të FNA-së në Senatin e Universitet të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ në periudhën 2004-2012, ka qenë Anëtarë i Komisionit për zhvillim Strategjik të UP-së, si dhe Anëtar i Bordit Editorial në disa Revista Shkencore me Impakt Ndërkombëtar.

Profesor Bujar cilësohet me një numër të theksuar të Publikimeve Shkencore e Profesionale, Librave Edukativo-Arsimor dhe Projekteve Arkitektonike. Veçanërisht dha kontribut të pakursyer në procesin e mësimdhënies dhe ishte shumë krenar me themelimin e Fakultetit të Arkitekturës, për të cilin kontribuonte që nga angazhimi i tij fillestar.

Me përvojën e tij prej Mësimdhënësi, Hulumtuesi Shkencor e Profesionisti si Arkitektë, ai ishte motivues i vërtetë. Rreth 28 vite ia kushtoi Arsimimit Universitar në Kosovë.

Shkuarja në përjetësi e ndau nga ne papritur, në kohën kur kontributi i tij ishte në nivelin meritor dhe e kemi vështirë të pajtohemi! 

Në kujtimet që kemi për Te, do të gjejmë ngushëllim dhe inspirim!

Lavdi jetës dhe veprës së tij.