Të martën, me datë 26.11.2024, Fakulteti i Arkitekturës ka mirëpritur arktiektin kroat, akademikun Andrija Mutnjakovič. Në një ligjeratë të hapur, të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Mutnjakovič u mirëprit nga një audiencë e cila tejkaloi kapacitetet e hapësirës së vënë në dispozicion.
Andrija Mutnjakovič, arkitekt, zhvilloij veprimtarinë e tij në arkitekturë dhe urbanizëm, dhe gjithashtu ishte i angazhuar në shkrime rreth historisë dhe teorisë së arkitekturës. I lindur në Osijek në vitin 1929, u diplomua në Fakultetin e Arkitekturës në Zagreb dhe ndoqi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kroaci.
Mutnjakovič shënoi prezencë të pakontestueshme në arkitekturën kosovare përmes projektimit të objektit të Bibliotekës Kombëtare. Projekti që zgjati një dekadë, për tu finalizuar në vitin 1982, është ndërtesa më e njohur e punës së arkitektit Mutnjakovič, e cila vazhdon edhe sot të mbajë gjallë diskutimin për vizionin dhe stilin brutal.
Ligjerata e tij e përbashkët me arkitektin Rilind Çoçaj, i cili si pjesë të tij të doktoratës ka hulumtuar veprimtarinë krijuese të Mutnjakovič, shpalosi për herë të parë para të pranishmëve një mori projektesh pjesëmarrëse në konkurse të niveleve të ndryshme dhe arsyet të cilat qëndruan pas konceptimit të tyre.