Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës nënshkruan Marrëveshje Mirëkuptimi me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës – SHPDK.
Me datë 21.11.2024, në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, përfaqësuar nga Dekania Prof. Violeta Nushi dhe Prodekania për Cilësi dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof.asst. Flaka Xërxa Beqiri, u pritën në takim Drejtoresha e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), Arieta Pozhegu dhe koordinatorja e projekteve Liridona Kastrati.
Në këtë takim, të dy institucionet nënshkruan Marrëveshje Mirëkuptimi me synim të thellimit të bashkëpunimit dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta në interes të dyja palëve.
Marrëveshja e Mirëkuptimit përfshinë zotimin për angazhimin e studentëve në programe dhe projekte hulumtuese; shkëmbimin e resurseve dhe kapaciteteve profesionale; organizimin e përbashkët të seminareve, punëtorive, studiove, ekspozitave dhe konferencave; zhvillimin dhe realizimin e programeve dhe projekteve arsimore bashkëpunuese si dhe forma të tjera të bashkëpunimit të cilat mund të dalin si kërkesë në vijimësi.
Rëndësia e marrëveshjes qëndron në mundësinë e shkrirjes së kapaciteteve dhe resurseve të dy palëve, për të ofruar zgjidhje përmes qasjes ndër-disiplinare dhe ndër-sektoriale, me fokus në ndërlidhjen e programeve studimore me industrinë kreative.