Marrëveshje Bashkëpunimi
Me datën 17 Mars 2023, në Tetovë u nënshkrua marrëveshja tre palëshe e bashkëpunimit mbi Arkitekturën dhe Urbanistikën, në mes të Fakulteteve përkatëse të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, përkatësisht nga Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Enis Jakupi, Dekania e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Violeta Nushi, si dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Armand Vokshi.
Mesazhin e fortë dhe simbolik për bashkëpunim mbarëkombëtar e mbështeti me prezencën e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili priti në takim delegacionet e tre Fakulteteve dhe i përgëzoi Dekanët e Fakulteteve përkatëse për këtë iniciativë të ndërmarrë.
Ky takim kishte për qëllim nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes fakulteve në fushën e arkitekturës dhe atë të urbanistikës në aspektik didaktik e akademik, kërkimor e shkencor, si dhe në aspektin kulturor e rekreativ.
Marrëveshja në fjalë parasheh që fakultetet nënshkruese të angazhohen në të ardhmën për bashkëpunim shkencor dhe arsimor. Parashihet që të realizohen projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime të stafit akademik e studentëve, organizim të konferencave dhe botimeve shkencore, si dhe seminare e simpoziume. Rëndësi do të i kushtohet edhe pjesëmarrjes në programet ndërkombëtare, si dhe shumë aktivitete në të cilat palët vlerësojnë se duhet të bashkëpunohet.
Delegacioni i Fakultetit të Arkitekturës u përfaqësua nga Dekania, Prof. Dr. Violeta Nushi, dhe Prodekanet, Prof.Asoc.Dr. Vlora Navakazi, Prof.Asoc.Dr. Teuta Jashari Kajtazi dhe Prof.Ass. Dr. Arta Xhambazi.