MARRËVESHJE MIRËKUPTIMI PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË LËMINË E ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM

20 Dhjetor 2024
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës dhe kompania ENERCO kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky bashkëpunim strategjik do të mundësojë shkrirjen e kapaciteteve dhe resurseve të dy palëve për të ofruar zgjidhje inovative përmes qasjeve ndër-disiplinare dhe ndër-sektoriale.

ENERCO, i themeluar në vitin 2010, është kompani e fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve menaxhimit të çështjeve për energjinë efiçiente të ndërtesave dhe më gjerë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Kosovë. Kompania është e njohur për realizimin e suksesshëm të ndërtesës "Near to Zero Energy Building" (NZEB) në Prishtinë, një projekt pionier në vend.

Duke mbështetur përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm, ky bashkëpunim do të realizohet përmes angazhimeve të përbashkëta, duke përfshirë:

• Angazhimin e studentëve në projekte hulumtuese dhe profesionale.

• Shkëmbimin e resurseve dhe kapaciteteve profesionale.

• Organizimin e seminareve, punëtorive, studiove, ekspozitave dhe konferencave të përbashkëta.

• Zhvillimin e transferimit të mirënjohjeve të fituara në projekte hulumtuese dhe profesionale.

Në emër të Fakultetit të Arkitekturës, marrëveshja u nënshkrua nga dekanja Prof. Violeta Nushi, ndërsa ENERCO u përfaqësua nga zt. Rinor Klaqi, Drejtor Ekzekutiv. Kjo marrëveshje u iniciuar nga Prodekanja Prof.Asoc. Teuta Jashari Kajtazi, prodekane për çështje mësimore dhe të studentëve dhe nga zt. Diamant Dalladaku, COO në ENERCO, dhe u lehtësia nga Prof.Asst. Flaka Xërxa Beqiri, prodekane për cilësi dhe bashkëpunim ndërkombëtar në Fakultet të Arkitekturës.  

Ky bashkëpunim do të vazhdojë të krijojë mundësi për rritjen e cilësisë akademike dhe avancimin e zgjidhjeve inovative dhe me sinergji mes arkitekturës dhe efiçiencës së energjisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përbashkët të të dyja palëve.